[go: up one dir, main page]
More Web Proxy on the site http://driver.im/Jump to content

Rotary International

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Rotaria Ndërkombëtare është një organizatë shërbyese ndërkombëtare qëllimi i të cilëve është bashkëpunimi i njerëzve nga fusha e biznesit dhe atyre profesional me qëllim të ofrimit të shërbimeve humanitare, të nxitjes së standardeve te larta etike në të gjitha profesionet, si dhe të avancojë vullnetin e mirë dhe paqen në mbarë botën. Kjo është një organizatë laike (sekulare) e hapur për të gjithë njerëzit, pavarësisht nga raca, ngjyra, besimi, feja, gjinia, apo preferenca politike. Ka 34,282 anëtarë te klubeve në mbarë botën. 1.2 milion individë të njohur si Rotarian i janë bashkuar këtyre klubeve.[1]

Motoja primare e rotarianëve është "Shërbimi Mbi Veten."[2]

Përkufizimi i Rotary

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Si mund të përshkruhet organizata e quajtur “Rotary”? Janë një shumëllojshmëri veçorishë të Rotary klubit si edhe të aktiviteteve të një milion rotarianëve. Këtu janë tiparet e shërbimit, ndërkombëtarizimit, shoqërimit, klasifikimit të çdo lëmie, zhvillimit të mirëqenies dhe mirëkuptimit gjithëbotëror, theksimit të standardeve të larta etike, kujdesit për njerëzit tjerë etj.

Në vitin 1976 Bordi i Drejtorëve të Rotary International ka shprehur interesimin për dhënien e një definicioni të saktë për aspektet thelbësore të Rotary. Ata u janë drejtuar tre njerëzve të cilët shërbenin në Komitetin për Marrëdhënie Publike në Rotary International dhe kanë kërkuar që të përgatitet një definicion prej vetëm një fjalie. Pas shumë drafteve, komiteti ka dhënë këtë definicion i cili që atëherë është përdorur në publikime të ndryshme që kanë të bëjnë me Rotary.

“Rotary është një organizim i personave profesionistë dhe të biznesit, të bashkuar anembanë botës që kryejnë shërbime bëmirëse, inkurajojnë standarde të larta etike në të gjitha lëmitë dhe ndihmojnë mirëqenien dhe paqen në botë”.

Këtë definicion duhet mbajtur në mend kur dikush bën pyetjen “Çka është Rotary klubi?”

Katër Bulevardet e Shërbimit

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Shërbimi i klubit përfshin të gjitha aktivitetet e domosdoshme që i kryejnë rotarianët për ta bërë klubin e tyre të funksionojë me sukses.

Shërbimi profesional përshkruan mundësinë që ka çdo rotarian për ta prezentuar dinjitetin dhe dobishmërinë e tij profesionale për anëtarët tjerë të klubit, si edhe përgjegjësinë e klubit që të realizojë projekte për sfera të ndryshme siç janë planifikimi i karrierës, trajnimet profesionale si dhe promovimi i standardeve të larta etike në vendin e punës.

Shërbimi i komunitetit u përshtatet atyre aktiviteteve të cilat rotarianët i ndërmarrin me qëllim të përmirësimit të kualitetit të jetës në komunitetin e tyre. Kjo shpeshherë përfshin ndihmën për të rinjtë, të moshuarit, personat me aftësi të kufizuara si edhe për të tjerët të cilët e vështrojnë Rotary si burim i shpresës për një jetë më të mirë.

Shërbimi i katërt, shërbimi ndërkombëtar përshkruan shumë programe dhe aktivitete të cilat rotarianët i ndërmarrin për ta quar përpara mirëkuptimin ndërkombëtar, mirëqenien dhe paqen. Projektet e shërbimeve ndërkombëtare janë të dizajnuara për t’u dalë përball nevojave humanitare të popujve nëpër vende të ndryshme. Kur rotariani i kupton dhe kalon nëpër të katër llojet e shërbimeve, nocioni i Rotary fiton një kuptim edhe më të madh.

Në Kuvendin e Rotary International të mbajtur më 1929 në Dallas, Teksas të SH.B.A. është përcaktuar një flamur zyrtar. Flamuri Rotarian ka prapavijë të bardhë me emblemën zyrtare – rrotën me ngjyrë të artë në qendër të tij. Katër hapësirat në skajet e rrotës rotariane kanë ngjyrë të kaltër mbretërore. Fjalët “Rotary” dhe “International” të shtypura në pjesën e epërme dhe të poshtme të skajeve të rrotës janë poashtu me ngjyrë të artë. Boshti në nyjë dhe qelësi i rrotës janë me ngjyrë të bardhë.

Flamuri i parë zyrtar Rotarian është valvitur në Kansas City, Missouri të SH.B.A në janar të vitit 1915. Në vitin 1922 admirali Richard Byrd, anëtar i Rotary klubit të Vinchester, Virginia, SH.B.A. ka mbajtur me vete një flamur i vogël Rotarian gjatë ekspeditës në Polin e Jugut. Katër vite më vonë admirali e mbajti flamurin Rotarian edhe në ekspeditën e tij në Polin e Veriut.

Disa Rotary klube e përdorin flamurin zyrtar Rotarian si banderolë në takimet e klubeve. Në këto raste preferohet të shkruhen fjalët “Rotary Klubi” mbi simbolin e rrotës si dhe emri i qytetit, shtetit apo kombit poshtë emblemës.

Flamuri Rotarian spikat gjithmonë në mënyrë të dukshme në selitë e botës si edhe në të gjitha kuvendet dhe ngjarjet zyrtare të Rotary International.

Rrota ka qenë simbol Rotarian që nga ditët e para. Dizajnimin e parë e ka bërë rotariani nga Çikago me emrin Montague Bear, një gëdhendës që e vizatoi një rrotë të thjeshtë vagoni me disa vija që simbolizonin tymin dhe lëvizjen. Rrota duhej të simbolizonte “Civilizimin dhe Lëvizjen”. Shumica e klubeve të hershme e kishin në ndonjë formë rrotën e vagonit në publikimet apo memot e tyre.

Në vitin 1922 është vendosur përfundimisht që të gjitha klubet rotariane duhet ta përvetësojnë një dizajn të vetëm si një emblemë ekskluzive rotariane.

Kështu, në vitin 1923, është miratuar nga Organizata Rotary International ingranazhi i sotëm me 24 dhëmbëz dhe 6 akse. Një grup inxhenierësh e shprehën mendimin se ingranazhi është mekanikisht i pazëshëm dhe se nuk do të shkonte pa “qelësin” në qendër i cili e vë në veprim. Pra, në vitin 1923 u shtua qelësi dhe u pranua edhe formalisht dizajni që e kemi sot si emblemë zyrtare e Rotary International.

Motoja e parë e Rotary International “Më së shumti përfiton ai që bën shërbimin më të mirë” është aprovuar në Kuvendin e dytë Rotarian të mbajtur në Portland, Oregon, SH.B.A. në gusht të vitit 1911. Fjalia është thënë së pari nga rotariani i Çikagos Art Sheldon gjatë fjalimit të tij më 1910 kur tha, “Më së shumti përfiton ai që shërben më së miri miqtë e tij”. Pothuaj në të njejtën kohë, Kryetari i Rotary klubit të Mineapolisit, Minesota, SH.B.A. Ben Collins deklaroi se një mënyrë e duhur për organizimin e një Rotary klubi është përmes parimeve që i ka përcaktuar klubi – Shërbimi, jo vetja.

Këto dy sllogane paksa të modifikuara janë aprovuar si moto zyrtare të rotarianëve në Kuvendin e Detroitit më 1950 – “Më së shumti përfiton ai që bën shërbimin më të mirë” dhe “Shërbimi para vetvetes”. Këshilli për legjislacion më 1989 e ka deklaruar moton “Shërbimi para vetvetes” moto themelore të rotarianëve pasiqë e shpjegon më së miri filozofinë e shërbimit vullnetar jovetiak.

Selia e Rotary International gjithmonë ka qenë në territorin e Çikago, Illinois, Sh.B.A. Shtatë zyrat e para të sekretariateve ishin të vendosura brenda qytetit, por në vitin 1954 Rotary ka ngritur një ndërtesë të re atraktive në Evanstonin periferik. Kjo ndërtesë ka përmbushur nevojat e Sekretariatit gjer në vitin 1980 kur me shtimin e programeve të reja, me rritjen e Fondacionit Rotary dhe me aktivitetet e reja lidhur me PolioPlus ndërtesa është bërë shumë e ngushtë dhe disa anëtarë stafesh janë detyruar të punojnë në hapësirat shtesë të zyrave përreth.

Kur u ngrit ndërtesa e re moderne 18 katëshe në vitin 1987 në Evanston, u duk se aty do të kishte hapësirë të mjaftueshme për zgjërimin e Rotary për vitet e ardhshme. E ndërtuar nga xhami dhe struktura e çelikut në vitin 1977 ajo ka 37.160 metra katror sipërfaqe shfrytëzuese për zyra. Ndërtesa u bë me porosinë e Rotary International e cila liroi pothuaj gjysmën e hapësirës për banuesit komercialë gjerë në kohën kur ajo hapësirë do të jetë e nevojshme për rritjen e Rotary.

Ndërtesa ka një amfiteatër me 190 vende, garazhë të madhe parkingu, kafiteri me 300 vende si dhe hapësirë funksionale për zyra për 500 të punësuar të selisë botërore. Suita ekzekutive në katin e 18-të përfshin sallën e konferencave për mbledhjet e Bordit të Drejtorëve të Rotary International, Administratorët e Fondacionit Rotary dhe Komisionet e Fondacioneve të Rotary International, pastaj zyrat e Kryetarit të Rotary international, Kryetarit të Posazgjedhur, të Emruarit të Kryetarit, Kryetarit të Administratorëve të Fondacionit dhe Sekretarit Gjeneral. Qendra Rotary numër një, siç quhet ndryshe mundëson kryerjen efikase të aktiviteteve të Rotary International.

Platforma Rotariani

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Klubet rotariane të Kosovës dhe Shqipërisë kanë krijuar një platformë informuese shqip për rotarianët dhe jo rotarianët që quhet Rotariani.[3]

  1. ^ "About Rotary". rotary.org. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  2. ^ "The history of Rotary's mottoes". rotary.org. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  3. ^ "Rotariani". Arkivuar nga origjinali më 8 maj 2021. Marrë më 19 dhjetor 2021. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)