[go: up one dir, main page]
More Web Proxy on the site http://driver.im/Jump to content

Priami

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Priami (greqisht: Πρίαμος, Latin: Priamus) - i biri i Laomedontit, mbretit trojan dhe i gruas së tij Leukipa, mbret i fundit trojan.

Ishte trim, bujar i drejtë dhe i devoçëm. Përkundër kësaj e urrente zoti suprem, Zeusi dhe vendosi që fisi i tij, në të ardhmen, mos të sundojë më në Trojë, aq më tepër, që Troja nuk duhet më të ekzistojë. Arsyet e këtij vendimi të Zeusit, në mite, nuk janë shpejguar në mënyrë të qartë, por zoti vendimet e veta nuk është i detyruar t'i shpjegojë, por as njerëzit nuk janë të detyruar t'i kuptojnë. Mjet i zbatimit të vullnetit të Zeusit ishin akejt, të cilët nën Trojë erdhën me njësitë prej njëqind mijë ushtarësh, e pushtuan dhe e rrënuan pas rrethimit dhjetëvjeçar. Asnjëri prej trashëgimtarëve të Priamit nuk e ka mbijetuar rënien e Trojës, ndërsa atë vetë e vrau para elterit të zotërave luftëtari akeas, Neoptolemi.

Priami erdhi në fron pasi e trashëgoi babain e vet, Laomedontin të cilin për shkak të tradhëtisë nga hakmarrja e vret trimi Herkli. Shumë vjet Priami ka qenë njëri prej sundimtarëve më të fuqishëm jo vetëm në Trojë, por ka sunduar mbi tërë Troadën dhe trevat e gjëra të Azisë së Vogël, Trakisë dhe disa ujëdhesa në detin Egje. Në Akropolin trojan ka pasur pallatin madhështor, në të cilin ka jetuar me gratë e veta në mesin e të cilave për nga rangu e para ka qenë mbretëresha Hekaba, e bija e Dimantit, mbretit të Frigjisë. Priami ka pasur pesëdhjetë djem, nëntëmbëdhjetë prej të cilëve me Hekabën. Përveç kësaj ishte baba i dymbëdhjetë vajzave, pjesa më e madhe e të cilave jetonte me burrat e tyre në Trojë. Djali më i vjetër i tij dhe trashëgimtari legjitim në fron ka qenë Hektori trim, "mburoja e Trojës".

Në fillim të luftës së Trojës me Priamin ndeshemi tani si me një plak. Për shkak të moshës së shtyrë nuk mundi të marrë pjesë në beteja, prandaj udhëheqjen supreme mbi ushtrinë ia beson birit të vet Hektorit. Nuk ka mundur të zgjedhë më të mirë. Prej të gjithë trojanëve dhe të gjithë vëllazërve të tij Hektori dallohej për nga trimëria, fuqia dhe vendosmëria, dhe nëntë vjet e ka mbrojtur me sukses Trojën prej fuqisë akease, dy herë më të madhe. Priami prej të gjithë djemve të vet më së shumti e ka dashur, por ka qenë xhentil dhe i dashur edhe ndaj të tjerëve, ndonëse shumica nuk dallohej shumë. Kurrë nuk i ka thënë fjalën qortuese as Paridit as gruas së tij, Helenës, ndonëse ishin shkaktarë të të gjitha vuajtjeve luftarake. Aq më tepër, e mbronte Paridin, duke mos i dëgjuar këshillat e këshilltarëve të vet më të mirë, dhe me kërkesën e tij refuzoi, në kuvendin trojan, propozimin i cili ka mundur të çojë te shpëtimi i Trojës.

Lëshimet e Priamit ndaj Paridit kanë pasur edhe arsye. Para lindjes së Paridit, Hekaba pa një ëndërr të çuditshme: lindi një vravashkë e cila e ndezi Trojën. Fallxhiu ia shpjegoi këtë ëndërr kështu: se do të lind djalin i cili do të shkaktojë rrënimin e Trojës. Për këtë arsye Priami urdhëroi që foshnja e posalindur të vendoset në pyll për t'u mbytur atje. Paridin e shpëtoi arusha, dha pastaj e rriti bariu, Agelia. Për këtë Priami mësoi pas shumë vitesh, kur Paridi pas një numri të madh të ngjarjeve të jashtëzakonshme u kthye në Trojë. Këtu duhet përmendur se Priami me gëzim e ka pranuar djalin e vet dhe që para tij të pendohet për veprën e vet, që kishte quar dorë prej tij, ia tregoi kujdesin dhe dashamirësinë më të madhe sesa që kjo ishte mirë për interesat e Trojës. Asgjë nuk i bënte vërejtje madje as atëherë kur Paridi ia rrëmbeu Menelaut, mbretit të Spartës, gruan dhe u martua me të. Poashtu e refuzoi edhe lutjen e Menelaut që t'ia kthejë Helenën dhe më me ëndje e pranoi luftën që ia shpalli vëllau i Mnelaut në emër të të gjithë mbrëtërve akeas. Për shkak të çështjes private të birit të vet,rrezikoi edhe ekzistencën e vendit të vet, kuptohet, duke besuar se Hektori do ta mbrojë Trojën.

Siç dimë, Hektorit nuk i shkoi në fund për dore. Vërtet u vra heroikisht në dyluftim me Akilin, kreshnikun më të madh akeas, por më tepër se këtë për qytetin dhe atdheun e vet nuk ka mundur të bëjë. I shkulte flokët e veta dhe shkrryhej për tokë nga dhembjet. Kurr mori vesh se Akili trupin e Hektorit të vdekur do t'ua japë qenëve akeas, mori vendimin deri më atëherë të pashembullt: u nis për në kampin e askeasve me lutje që Akili t'ia jepte trupin e Hektorit. U dërgoi dhurata të begatshme, madje edhe e puthi dorën e cila ia ka sjellë vdekjen të birit të vet. I prekur nga dhembja e thellë dhe nga përulja me të cilën iu ekspozua, Akili zemërgjërësisht ia plotësoi lutjen plakut Priamit, për më tepër, për dymbëdhjetë ditë i ndërpreu luftimet në mënyrë që trojanët të mund ta varrosin Hektorin, siç i ka hije burrit i cili ra për atdhe.

Së shpejti pas Hektorit u vra edhe Priami. Trojën nuk e shpëtoi as ushtria e amazoneve, e cila i erdhi në ndihmë, as mbreti trim Memnon, i cili arriti madje prej Etiopisë së largët. Luftëtarët e zgjedhur akeas me dinakëri (në barkun e "kalit të Trojës") hynë në qytet dhe aradha e tyre, në krye me Neoptolemin, të birin e Akilit, e pushtoi pallatin mbretëror. Në sallën e madhe të fronit, rezistencën e fundit akeasëve ua dhanë djemtë e Priamit, por asnjëri nuk mundi ta mposhtë Neoptolemin në të cilin paraqitej fuqia e Akilit. Priami i gjorë e luste që mos t'ia vrasë djemtë para syve të vet, le ta frenojë hidhërimin e vet dhe le të jetë bujar, siç ka qenë i ati i tij. Kur Neoptolemi në vend të përgjegjës ia vrau edhe një djalë të cilin e kishin sjellë të plagosur nga beteja, Priami e kapi shtizën dhe me dorë të lodhur të një plaku e hudhi në vrasësin e djemëve të vet. Ishte kjo vepër e tij e fundit: Neoptolemi e zmbrapsi shtizen, u vërsul në Priamin, e kapi për flokët e thinjura, e rrëzoi në pellgun e gjakut të djalit e pastaj e zvarriti deri te elteri dhe ia futi shpatën në gjoks.

Mbreti plak, Priami, rëndom konsiderohet si personalitet, i cili në Iliadë duhet më së shumti. Fati i tij është aq i prekshëm, edhe pse kurrë nuk ka bërë asgjë me çka do ta meritonte një fat të tillë. Priami, në të vërtetë, nuk u be personazh i asnjë vepre letrare të pavarur, por është i pranishëm në çdo këngë dhe në çdo roman për shkatërrimin e Trojës. Aq më tepër, e ndeshim në veprat të cilat nuk kanë lidhje të drejtpërdrejtë me ngjarjet rreth Trojës (për shembull, në Hamletin e Shekspirit). Artistët antikë shpeshherë e kanë pikturuar, veçmas në vaza prej të cilave janë ruajtur më tepër se gjashtëdhjetë. Në tridhjetë prej tyre paraqitet Vdekja e Priamit (gjashtëdhjetë janë nga fundi i shek. VII dhe fillimi i shek. VI para e. s.). Në tetëmbëdhjetë vaza është pikturuar Priami te Akili (dy më të lashtat, nga fundi i shek. VII para e.s. dhe gjenden në Luvër të Parisit dhe ne Muzeun Arkeologjik në Madrid), kurse në nëntë është i pranishëm në Vdekjen e Astianaktit. Prej veprave të tjera të kohës së vjetër vëmendje më të madhe meriton pamja Priami te Akili në kupën e argjendët të Herisfronit nga shek. I para e,s. (sot në Muzeun Kombëtar në Kopenhagë).Relievin e mermertë me të njëjtin emër e ka bërë Berthold Thorvaldseni në vitin 1915 (sot në Muzeun e Thorvaldsenit në Kopenhagë).

Përkundër të gjitha trajtimeve poetike dhe dramaturgjike Priami askund nuk është paraqitur më mirë se sa te Homeri. Vizita e tij te Akili në këngët njëzet dhe njëzet e katër të Iliadës në të vërtetë është margaritari më i çmueshëm i të gjitha letërsive.