[go: up one dir, main page]
More Web Proxy on the site http://driver.im/


Preng Doçi (italisht: Primus Docci; Bulgër, 25 shkurt 1846 - Shkodër, 22 shkurt 1917) ka qenë prelat, figurë kulturore e politike me ndikim dhe poet shqiptar. Qe themeluesi dhe kontributori më i madh i Shoqërisë "Bashkimi".

Fotoporteti
Abat Preng Doçi
Lindur më 25 shkurt 1846
Lindur në Bulgër, Perandoria Osmane
Vdiq më 22 shkurt 1917
Vdiq në Shkodër, Principata e Shqipërisë
Kombësia Shqiptar
Profesioni prelat, poet, veprimtar politik e kulturor
Mirënjohje
#Mirënjohjet

Biografia

Redakto

U lind në lagjen Paraspor të fshatit Bulgërkazasë së Lezhës, i biri i Prendit dhe i Mrikës, më 25 shkurt 1846.[1] Studimet i mori në Shkodër, më 2 gusht 1859 hyri në të porsahapurin Seminar Papnor dhe më tej vijoi shkollimin në Romë në Kolegjin e Propagandës Fide më 1861.[1][2][3]

Më 1871 u kthye në vendlindje, ku shërbeu si famullitar në Korthpulë, Orosh si kapelan i Imzot Gaspër Krasniqit[4] dhe sërish famullitar në Kalvare. Më 1877 përfshihet në një rrymë revolte, për të cilën[3] shkoi shpesh në Cetinjë për të siguruar si ndihma financiare ashtu dhe mosndërhyrje. Kryengritja u parandalua nga autoritetet osmane dhe ipeshkvi i Lezhës F. Malčinski e pezulloi nga veprimtaria fetare. Doçi u fsheh në Vuthaj, pranë Gucisë. Më vonë u arrestua, e dërguan në burgun e Selanikut dhe më pas në Stamboll.[4] Me ndërhyrjen e Patriarkut armen Stefan Azarian, me nofkën Pére Achile mori rrugën për në Romë me kusht që të mos kthehej në vendlindje.[5]

Sipas P. Pashk Bardhit, kryengritja u bë për shkak të mospajtimit të parisë mirditore me dënimin me syrgjynosje që i ishte dhënë Preng Bib Dodës si zëvendëskryetar i Degës së Shkodrës për Lidhjen e Prizrenit.[4]

Pasi qëndroi disa muaj në Tivar, me ndërhyrjen e Kardinalit Giovanni Simeoni të Propagandës Fide, u dërgua në Bregun Perëndimor të Amerikës, në ishullin Newsfoundland, Wayne, Pennsylvania dhe New Brunswick, ku shërbeu si misionar gjer më 1881. Doçit i mveshet atributi, për aq sa ç'mund të thuhet, se qe shqiptari i parë në Shtetet e Bashkuara. Pasi u kthye në Romë, u dërgua në Indi, ku qe sekretar i delegatit apostolik - më vonë Kardinalit - Antonio Agliardi.

Më 1888, pas kërkesave të shumta dhe apelimit tek Patriarku i Kostandinopojës, më në fund Doçi mori lejen nga autoritetet osmane për t'u kthyer në vendlindje. Mbërriti më 6 nëntor 1888[6] dhe u bë abat i Mirditës[1] janarit e vitit që pasoi, në krye të Abacisë nullius të Shën Llezhdrit në Orosh të Mirditës.[7] Më 1890 dhe më pas në vitin 1894, shumë famulli iu bashkuan abacisë me në krye Doçin.[4] Gjatë ekspeditës ndëshkimore të Turgut Pashës më 1910 ndonëse i mblodhën armët, me ndërhyrjen e abatit, Mirditës nuk iu prekën bajrakët siç po asgjësoheshin gjetiu.[8]

Me zgjedhjet parlamentare pas shpalljes së kushtetutës osmane më 1908, Doçi i interesuar për të marrë koncensione për shfrytëzimin e pyjeve, ia dha votat e veta kandidatit të Komitetit "Bashkim e Përparim" Riza bej Kopliku.[9] Me ndodhitë e Kryengritjes së Shqipërisë së Mesme, shkoi me njësitë vullnetare mirditore për t'i dalë në krah Princ Vidit.[4]

Ndërroi jetë më 22 shkurt 1917.

Shkrime

Redakto

Doçi shkroi poezi, dy prej të cilave u botuan: njëra u botua në Livorno në një libër të Dhimitër Kamardës ku qenë mbledhur poezi në dialekte të ndryshme të gjuhës shqipe që i ishin kushtuar Elena Gjikës. Kjo vjershë është shkruar në 10 strofa me 6 vargje, me varg dhjetërrokësh. Titullin e ka "Kâjkë per Zojen Doren d'Istries" dhe fillon "Dheu i em! me trima plot nji herë,...".1925 P. Justin Rrota e riboton në veprën “Literatyrës Shqype” që vjersha të ishte në duart e shkollarëve të rinj.

Tjetra e ka titullin "Nji kushtrim Shqyptarvet" e cila fillon me fjalët "Trima, mrend! me dorë, me dorë!", e shkruar në tetë strofa me nga gjashtë rreshta tetërrokësh. Edhe kjo poezi, si e para, u botua gjatë kohës kur ishte student në Propagandën Fide. Përpos poezive të botuara kishte edhe të tjera në dorëshkrim.[4]

Veprimtaria kulturore

Redakto

Më 1899 themeloi shoqërinë "Bashkimi" në Shkodër, shoqëri e cila kishte për qëllim lëvrimin e gjuhës shqipe. Duke qenë se në Vilajetin e Shkodrës toleroheshin tekstet thjesht fetare katolike në gjuhën shqipe, zgjodhi që shumicën e bashkëpunëtorëve t'i kishte klerikë në mënyrë të tillë që mos të binte në sy të autoriteteve. Shoqëria synoi të njësonte shkrimin e shqipes rreth një alfabeti latin dhe pasi e farkëtoi alfabetin, në shtatë vite u shkruan 32 vepra, u ndoq nga "Albania" e Konicës, "Shpnesa e Shqypnís", "Kombi" i Bostonit dhe "Albania e Vogel". Përpos të përkohshmeve, alfabetin e "Bashkimit" e përdorën për veprat e tyre edhe autorë si Asdreni, Çajupi, Faik Konica, Sotir Peci, Fan Noli, etj.[4]

Referime

Redakto
  1. ^ a b c Skendi 1967, p. 170
  2. ^ Oliver Jens Schmitt (2010), Religion und Kultur im albanischsprachigen Südosteuropa (në gjermanisht), Peter Lang GmbH, Internationaler Verlag der Wissenschaften, fq. 66, ISBN 978-3631602959
  3. ^ a b Nikaj, Dom Ndoc (1938). "Imzot Abat Preng Dochi". bksh.al. Leka v. X nr. 4-5. fq. 73–76.{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja)
  4. ^ a b c d e f g Bardhi, P. Pashk (1942). "Emzot Prend Doçi". bibliotekashkoder.com. Hylli i Dritës vj. XVIII nr. 3-4. fq. 107–134. Arkivuar nga origjinali më 2 maj 2018. Marrë më 24 prill 2018.
  5. ^ Robert Elsie (2010), Historical Dictionary of Albania, Historical Dictionaries of Europe (në anglisht), vëll. 75 (bot. 2), Scarecrow Press, Inc., fq. 113–114, ISBN 978-0-8108-6188-6
  6. ^ Ndoc Nikaj (2003), Kujtime të nji jetës së kalueme, Plejad, fq. 49, ISBN 9789992792452, OCLC 61324941, Më 6 nentor 1888 abati Preng Doçi, pas 11 vjet mërgimi, arriti në Orosh të Mirditës.
  7. ^ Franz Baron Nopcsa (1907), "Das Katholische Nordalbanien", Foldrajzi Kozlemenyek (në gjermanisht), Budapest: Societe Hongroise de Geographie, XXXV (supplement 5-6): 45, OCLC 241308879
  8. ^ Ulqini, Kahreman (2003). Struktura e shoqërisë tradicionale shqiptare. Shkodër: Idromeno. fq. 115. ISBN 99927-841-5-6.
  9. ^ Clayer, Nathalie (2012) [2007]. Në fillimet e nacionalizmit shqiptar: Lindja e një kombi me shumicë myslimane në Evropë. Përkthyer nga Artan Puto (bot. 2). Tiranë: Botime "Përpjekja". fq. 616. ISBN 9789994302536.

Literatura

Redakto