[go: up one dir, main page]
More Web Proxy on the site http://driver.im/

Israja dhe Mi’raxhi

سُبْحَانَ الَّذِي أَسْرَى بِعَبْدِهِ لَيْلًا مِنْ الْمَسْجِدِ الْحَرَامِ إِلَى الْمَسْجِدِ الْأَقْصَى الَّذِي بَارَكْنَا حَوْلَهُ لِنُرِيَهُ مِنْ آيَاتِنَا إِنَّه هُوَ السَّمِيعُ الْبَصِيرُ


“I pastër dhe i zhveshur nga çdo e metë është Ai, i cili e udhëtoi (barti) robin e Vet natën prej xhamisë së shenjtë (Qabesë) deri në Mesxhidi Aksa, rrethinën e së cilës Ne e kemi bekuar, për t’i treguar atij (Muhamedit) disa nga shenjat (argumentet) tona. Vërtet Ai (Allahu) dëgjon gjithçka dhe sheh çdo gjë” (El Isra, 1)

Njëra ndër netët e mëdha, të cilën muslimanët e festojnë dhe jetojnë në përkujtimin e saj qe sa e sa shekuj, është edhe nata e Israsë dhe Mi’raxhit, në të cilën natë i Dërguari i Zotit u ftua nga ana e Allahut prej Mekës në Kudsi Sherif e prej këtu për në qiell, i pritur dhe i mirëseardhur me nderimet më të larta, për të parë me sytë vet tërë atë që e ka krijuar Allahu, dhe për t’u bindur në fitoren përfundimtare të Islamit dhe ardhmërinë e tij të ndritshme.

Përveç ajeteve të Kur’anit në kaptinën El Isra dhe En Nexhm, kemi edhe shumë e shumë hadithe të Pejgamberit a.s. për përjetimin dhe mbresat e këtijk udhëtimi, në të cilën natë të bekuar u bë farz (obligim) edhe namazi si dhuratë dhe mëshirë e Perëndisë ndaj nesh, prandaj ne gjatë namazit tonë jemi të lidhur drejtpërdrejtë me Allahun pa ndërmjetësimin e askujt. Njëherit me namaz përkujtojmë të mirat e Tij ndaj nesh siç shihet nga ajetet kuranore: “Dhe fale namazin për të më përkujtuar Mua”. (Ta Ha, 14). “Vërtetë Namazi është farz për muslimanët në kohë të cakutar” (En Nisa, 103).


Komenti:

redakto

Allahu xh.sh. qysh në fillim të kësaj kaptine dhe të këtij ajeti: “SUBHANEL-LEDHI ESRA BI ABDIHI LEJLEN” – (I pastër dhe i zhveshur nga çdo e metë është Ai, i cili e udhëtoi (barti) robin e Vet natën...) e përdorë fjalën “Subhane” që d.m.th. I Pastër, I zhveshur nga çdo e metë, I lartësuar në Madhërinë e Tij etj., e kjo fjalë njëherit paralajmëron se në vazhdim të ajetit do të bëhet fjalë për një ngjarje dhe ndodhi të jashtëzakonshme, që në mesin e pabesimtarëve dhe atyre muslimanëve të luhatshëm do të krijonte huti dhe habi dhe do të jetë moment vendimtar që definitivisht të ndaheshin ata që Zoti i fortësoi dhe i ndriçoi zemrat e tyre me nurin e imanit nga ata që vetëm formalisht kishin shprehur besnikërinë ndaj Muhamedit a.s. dhe fesë Islame.

“El-ledhi esra biabdihi lejlen” – (Ai, i cili e udhëtoi (barti) robin e Vet natën).

Prej këtu fillon rrjedha e ngjarjeve që do të pasojnë dhe do të forcojnë zemrën e Pejgamberit a.s. dhe të muslimanëve, duke larguar nga ta edhe dëshprimin më të vogël, e duke ua bërë me dije se përkrahja dhe ndihma e Allahut xh.sh. kurrë nuk do t’u mungojë, dhe se misioni i shenjtë i Muhamedit a.s. do të jetë rruga e vetme e shpëtimit dhe e fatbardhësisë njerëzore. Vetë fjala “Esra” do të thotë: udhëtim-bartje prej që vendi në një vend tjetër, e me këtë rast është bërë udhëtimi me Muhamedin a.s. prej Qabes në Mesxhidi Aksa (Kuds – Jerusalem). Edhe vetë Muhamedi a.s. kur u tregoi shokëve të tij dhe mekasve tha: “Është udhëtuar me mua” që largon edhe dyshimin më të vogël në fuqinë e Allahut të Madhërishëm, i Cili kur i thotë një sendi “Bëhu! ai bëhet”.

Ky udhëtim është bërë natën e 27-të të muajit Rexheb 621 të erës sonë – të hënën, natë e cila është karakterstike për vetë Pejgamberin a.s. sepse ngjarjet më kulminante në historinë e lavdishme islame ndodhën netëve të hëna: të hënën u lind Muhamedi a.s., të hënën e udhëtoi Allahu në Isra dhe Mi’raxh, të hënën ishte hixhreti -shpërngulja e tij e bekuar dhe poashtu të hënën shpirti i tij i bekuar u shpërngul pranë mëshirës Hyjnore tek Allahu xh.sh.

Në këtë pjesë të ajetit shohim se kemi të bëjmë me zgjatje të dorës së mëshirës nga ana e Allahut xh.sh. si qetësim dhe prehje shpirtërore, për robin dhe të dërguarin e Tij, mu atëherë kur ai kishte më së tepërmi nevojë të qëndronte i paepur në thirrjen e tij, atëherë kur i vdiq axha i tij Ebu Talibi, të cilin e kishte mburojë para sulmeve dhe fyerjeve të idhujtarëve, në të cilin shihte mbrojtjen nga shtërngatat që po vinin. Po në këtë vit i vdiq edhe bashkëshortja e tij besnike Hatixhja r.a., e cila aq fuqishëm e përkrahu në thirrjen e tij duke i dhënë kurajë dhe shpresë se megjithë vuajtjet dhe sakrificat – fjala e Allahut patjetër do të triumfojë, pranë së cilës gjithmonë gjente prehjen dhe qetësinë e gjirit të ngrohtë familjar. Pas kësaj pasoi edhe shkuarja në Taif ku të Dërguarin a.s. e piriti edhe një zhgënjim tjetër ngase banorët e Taifit nuk iu përgjigjën thirrjes së tij – por e mohuan, e bile edhe u munduan t’i bëjnë ndonjë të keqe.

Në këtë gjendje e gjeti Muhamedin a.s. ndodhia e Israsë dhe Mi’raxhit, të pikëlluar për humbjen e dy personave më të dashur e me të afërt, dy përkrahësve të tij më të mëdhenjë, mirëpo Allahu xh.sh. të dashurin e Vet nuk e la të vetëm dhe të dëshpruar në këto çaste kaq dramatike dhe vendimtare, por e thirri në lartësitë qielliore, që me sytë e tij të shihte (jekinen) madhështinë e tërë asaj, që e ka krijuar i Gjithëfuqishmi, t’i tregonte se Allahu ishte me te në çdo moment dhe se drita e Islamit do të përhapet jo vetëm në Mekë dhe në siujdhesën Arabike, por do të përhapej me një shpejtësi të pabesueshme në tërë rruzullin tokësor, dhe fjala e Allahut xh.sh. do të flente qetësisht në zemrat e miliona besimtarëve të të gjitha racave dhe ngjyrave.

“MINEL MESXHIDIL-HARAMI ILEL MESXHIDIL AKSA” – (Prej xhamisë së shenjtë (Qabes) deri në Mesxhidi Aksa”...).

Udhëtimi me Muhamedin a.s. “Israja” u bë nga Meka-Qabja, e cila njëherit është shtëpia e parë në tokë për adhurimin e Allahut, muret e së cilës i ngritën të dërguarit e Zotit – Ibrahimi dhe Ismaili a.s., e cila njëherit është pikësynim dhe drejtim i të gjithë muslimanëve gjatë namazit të tyre; - “deri në Mesxhidi Aksa” (Kuds-Jerusalem-Palestinë), e cila pas Israsë dhe Mi’raxhit shërbeu një kohë të caktuar si kibel derisa I Lartmadhërishmi zbriti ajetin: “Ktheje fytyrën tënde kah xhamia e shenjtë (Qabeja)…” me çka definitivisht Qabesë iu kthye prapë prioriteti i kibles.

Këtu më së miri shihet urtësia e Perëndisë që me këtë udhëtim të Muhamedit, të ndërlidhte ngusht dy faltoret e shenjta islame– dy kiblet e muslimanëve, dy vendet ku të dërguarit e Allahut thirrën në rrugën e drejtë, duke pasur të vetmin ideal – kryerjen e misioneve të shenjta për t’i nxjerrur njerëzimin nga errësira në dritën e imanit. Si Qabeja ashtu edhe Mesxhidi Aksaja gjatë shekujve e moteve të kaluara e deri më sot luajtën rolin e sigurisë shpirtërore të mbarë muslimanëve. Për fat të keq sot Mesxhidi Aksaja ka rënë tërësisht në duart dhe ndikimin e cionistëve izraelitë, të cilët mundohen që me çdo kush ta zhbijnë këtë xhamit të shenjtë të muslimanëve, duke trilluar nga imagjinatat e tyre të sëmura se gjoja në themelet e xhamisë së Aksasë gjendet tempulli i vjetër i jehudëve apo “muri i vajtimit” siç e quajnë ata, vetëm e vetëm që të gjejnë shkas për të shkatërruar çdo gjë islame, që rrjedh nga urrejtja e tyre shekullore ndaj muslimanëve. Të shpresojmë se një ditë forcat Islame do të bashkohen në luftë kundër këtij armiku të përbetuar kundër kësaj kulçedre të tërbuar, sepse fjala e Allahut nuk don robëri, nuk duron gjemba dhe errësirë, por don paqe, tolerancë, mirëqenie dhe qetësi kudoqoftë.

“EL-LEDHI BAREKNA HAVLEHU” – (rrethinën e së cilën Ne e kemi bekuar). Një ndër mirësitë e shumta që i janë dhuruar këtij vendi – Kudsit, pos bukurive të rralla natyrore dhe kopshtijeve të panumërta me lloj-lloj frutash ekzotike, është edhe ajo se në këtë vend zbritën shumë të dërguar të Zotiti apo së paku bile kaluan një kohë në të, gjatë misioneve të tyre të shenjta si: Musai, Davudi, Sulejmani, Zekerijja, Jahjai dhe në fund Isai a.s. – shpëtimi i Zotit qoftë mbi ta! Për këtë arsye Perëndia deshi që edhe Muhamedi a.s., “vula e profetisë” të kalonte disa çaste në këtë vend të bekuar, dhe prej këtij vendi të ngritej në qiell për vizitë tek Mëshirëploti, që të plotësohej misioni i i tij i shenjtë, dhe që Allahu t’i dëftonte shumë prej argumenteve me të cilat do ta qetësonte shpirtin e tij të shqetësuar dhe të pikëlluar.

‘LINURIJEHU MIN AJATINA” – (Për t’i treguar atij (Muhamedit) disa nga argumentet (shenjtat tona).

Është më se e qartë se Perëndia i tregoi disa nga shenjat dhe argumentet të dërguarit të Tij, duke forcuar vullnetin në zemrën e tij dhe duke e vënë në dijeni se ndihma e Allahut kurrë nuk do t’i mungonte dhe se patjetër do të jetësohen fjalët e të Madhërishmit: “Ai (Allahu) është që e dërgoi të dërguarin e Vet me udhëzim të qartë dhe fe të vërtetë, për ta bërë mbizotërues mbi të gjitha fetë edhe pse këtë e urrejnë idhujtarët”. (Es-Saff, 9).

“INNEHU HUVE ES-SEMIUL BESIR” – (Vërtetë Ai (Allahu) dëgjon gjithçka dhe sheh çdo gjë). Jemi të paluhatshëm në besimin tonë se Allahu xh.sh. është Krijuesi ynë, të Tij janë çka ka në qiej dhe në tokë. Vetëm Atij i takon lavdërimi, falënderimi dhe krenaria, dhe e besojmë ashtu siç e përshkruajti Vetvetën në Kur’an: “Thuaj Allahu është Një! Allahu është Ai që çdo krijesë i drejtohet (i mbështetet) për çdo nevojë. As s’ka lindur, as nuk është i lindur. Dhe askush Atij nuk i është i barabartë”. (El Ihlas, 1-4).

Pra Ai dëgjon dhe sheh çdo gjë, vetëm Ai i cili di fshehtësitë, e di të kaluarën, të tashmën dhe të ardhmen tonë, i Lartësuar qoftë në Madhërinë e Tij!

Ndërsa sa i përket ngritjes së Pejgamberit në qiell – “Miraxh”, armiqtë e Islamit vazhdimisht e kontestuan dhe e mohuan, duke thënë se ky nuk ishte udhëtim fizik, por shpirtëror apo iluzor – në gjumë (ëndërr). Mirëpo fjalët e të Gjithfuqishmit në kuptinën “El-Israë” dhe “En-Nexhm” i demantojnë shumë lehtë këto pohime të tyre të pabaza: “Esra bi abdihi” – (E udhëtoi (barti) robin e Vet), nënkupton vetvetiu se fjala ishte për udhëtim trupor dhe shpirtëror me plot vetëdije – “bi abdihi” (robin e Vet), sepse po të ishte Israja vetëm udhëtim shpirtëror sigurisht se Allahu do të ishte shprehur në këtë mënyrë – “Esra bi ruhi abdihi” – (E udhëtoi shpirtin e robit të Vet), apo po të ishte në gjumë (ëndërr) ndoshta do të shprehej kështu: “Esra bi abdihi fi menamihi””) – E udhëtoi robin e Vet në gjumë).

Pra shihet qartë nga këto krahasime se nuk ishte fjala për një udhëtim shpirtëror apo në gjumë, por ishte një udhëtim fizik me robin e tij në një pjesë të natës.

Ndoshia e Israsë dhe e Mi’raxhit, sot madje shumë lehtë dhe bindshëm mund të dëshmohet edhe me argumente shkencore e logjike.

Të gjithë jemi dëshmitarë se njeriu përkundër aftësive dhe dijes së kufizuar të tij, ka arritur të depërtojë në hapsirat qiellore, me anë të fluturakeve të ndryshme kosmike. Ka arritur në Hënë e së shpejti pritet të zbarkojë edhe në Mars. Kurse të mos flasim për anijet kosmike pa pilotë të tipit “Voyager” të cilat tashmë kanë dalur edhe jashtë sistemit tonë diellor madje edhe jashtë galaktikës sonë në të cilën bën pjesë ky sistem yni diellor -“Rruga e Qumshtit”, dhe është drejtuar drejt tufave galaktike të afërta me “Rrugën e Qumshtit”.

Prandaj, sot kur flasim për këtë mrekulli, dhe kur shohim se veprues i kësaj mrekullie është vetë Allahu xh.sh.. krijues i kësaj gjithësie dhe i vetë ligjeve që mbretërojnë në të, atëherë si mund të dyshojmë në vërtetësinë dhe mundshmërinë e ndohisë së kësaj ngjarjeje, sepse Ai Allah që i ka krijuar këto ligje, Ai edhe mund t’i thyejë ato kur të dëshirojë, sepse Vullnetit të Tij i nënshtrohet çka ka në qiej dhe në tokë.

Në Kaptinën “En-Nexhm” i Lartmadhërishmi fuqimisht dhe me shprehje të larta stilistike, që janë mrekulli e përjetshme e Kur’anit, na bën me dije se i dërguari i Tij Muhamedi a.s. arriti deri në majën më të lartë qiellore “Sidretul Mutneha”, në të cilin qiell nuk ka shkelur asnjë krijesë madje as Xhibrili- besniku i ta gjitah shpalljeve, e Muhamedit a.s. iu mundësia të shohë Argumentet më të mëdha të Allahut xh. sh. pa asnjë ndërmejtësim: “MA KEDHEBEL FUADU MA REA; EFETUMERUNEHU ALA MA JERA VE LEKAD REAHU NEZLETEN UHRA, INDE SIDRETIL MUNTEHA, INDEHA XHENNETUL ME’VA. IDH JAGSHES – SIDRETE MA JAGSHA, MAZAGAL BESARU VE MA TAGA LEKAD REA MIN AJATI RAB-BIHIL KUBRA. (En-nexhm 11-18) – “Zemra nuk e mohoi atë që e pa (me sy). A po i bëri polemikë atij për atë që e parë” Atë (Xhibrilin) e ka parë edhe herën tjetër.) e ka parë tek Sidretul Munteha, që pranë saj gjendet xhenetul Me’va), Atëherë kur sidren e mbuloi çka e mubloi. Shikimi i (Muhamedit) as nuk lakoi as nuk tejkaloi. Ai (Muhamedi) vërtetë pa disa nga shenjat më të mëdha të Zotit të vet. (En-nexhm, 11-18).

Pra pjesa e dytë e udhëtimit t Muhammedit a.s. në atë natë ka të bëjë me ngritjen e Muhammedit a.s. në sferat e larta qiellore, që quhet mi’raxh. Në koleksionet e haditheve të Buhariut dhe të Muslimit janë cekur në detaje të gjitha fazat e këtij udhëtimi ashtu siç ka treguar i Dërguari i Allahut, ku flitet për takimin e tij me Pejgamberët e ndryshëm nëpër secilin qiell, pastaj flitet edhe për atë se si e ka parë Muhamedi a.s. Xhibrilin në formën e vet të natyrshme, në Sidrej Munteha, dhe kjo ishte hera e dytë që po e shihte në atë formë pas asaj të parës, kur për herë të parë ia zbritit ajetet Ikre’ bismi rabbikel ledhi halek….

Më pastaj kemi të bëjmë me gjëra të fshehta dhe sekrete të cilat nuk mund t’i komentojë askush se si ka rrjedhur biseda ndërmjet Allahut dhe Muhammedit a.s, të cilat gjëra mbeten për ne në sferën e Gajbit.

Një gjë është më se e sigurt, në këtë natë Allahu xh.sh. i dhuroi Muhammedit a.s. dhe Ymmetit të tij dhuratën më të çmueshme, Namazin, i cili u bë obligim i detyrueshëm 5 herë brenda 24 orëve. Po në këtë natë të bekuar zbritën edhe ajetet Amene rresulu…., si dhe Muhamedit a.s. iu dha mundësia e Shefatit-ndërmjetësimit për Ymmetin e tij etj.

Në lidhje me ndodhitë e kësaj nate me kalimin e kohës, janë trilluar e shpifur shumë gjëra të pa qena, nga të cilat duhet të kemi shumë kujdes, sepse transmetimet e tilla vetëm e e devalvojnë madhështinë dhe vlerën e mirëfilltë të Israsë dhe Mi’raxhit.

Sot është kënaqësi të jeshë musliman dhe të jetosh në përkujtimin e këtyre ngjarjeve të lavdishme të natës së 27-të të Rexhebit, asaj nate kur mëshira hyjnore mbuloi me dritë zemrën e të dërguarit dhe të gjithë besimtarëve, atëherë kur ata patën më së shumti nevojë që dikush t’i qetësonte shpirtrat e tyre të trazuar nga degdisjet dhe valët e shtërngatave që po vinin. Por Allahu xh.sh. e mbajti besën dhe premtimin e dhënë se Islami do të jetë feja e ardhmërisë, i pastër si loti, i dlirë si qielli, i ndritshëm si yjet, shkëlqyes si dielli. E mbajti premtimin që ta qetësojë Pejgamberin nga vuajtjet dhe dëshprimet, atëherë kur ai kishte më së tepërmi nevojë, kur i vdiqën dy përkrahësit më të mëdhenj. pra ishte e nevojshme që MUHAMEDI a.s. si bartësi i fundit i shpalljeve hyjnore ta shihte vizionin e së ardhmes së ndritshme të Islamit, nga ajo që Allahu ia bëri të mundur të shohë prej këndvështrimit, që për ne mund të jetë vetëm iluzion, e për te realitet i vërtetë. E për Atë që e krijoi këtë gjithësi dhe që i di sekretet e saj nuk është vështirë t’ia zbulojë një cep të perdes së ardhmërisë të dashurit të Tij Muhamedit a.s., të cilin Vetë Ai e dërgoi “Mëshirë për mbarë njerëzinë”.

Ishte më së e nevojshme që me udhëtimin e Israsë dhe Miraxhit edhe muslimanët të përgatiteshin shpirtërisht dhe moralisht, të bëheshin të pathyeshëm e të paepur siç ishte rasti i Ebu Bekrit kur idhujtarët e Mekës i thanë se shokut yt Muhamedi po pohon se ka shkuar natën në Kuds dhe prej aty është ngritur në qiell. Ndërsa ai me tërë krenarinë e besimtarit të sinqertë u tha: Unë po dyshoj në fjalë tuaja se mos po shpfini diçka për të, e nëse ai këtë e ka thënë me gojën e vet atëherë unë i besoj pa kurrfarë dyshimi. Dhe prej atij momenti Ebu Bekri u quajt ”ES-SIDDIK” – (i drejtë, i sinqertë). Pra ishte e nevojshme që besimtarët të mos luhateshin në besimin e tyre, sepse ata një ditë do të detyroheshin që nga vuajtjet dhe mundimet ta lëshonin edhe vendlindjen e tyre, vetëm për hirë të Allahut dhe të Fesë Islame. E ata nesër do të ishin bartësit e amanetit të Perëndisë në bashkësinë e re që do të themelohej në Medine (Jethrib) në parimet e shenjta Islame, në krye të së cilës qëndronte vetë i dërguari i Zotit - Muhamedi a.s. duke u prirë besimtarëve me nder, ndërgjegje dhe me dashuri të pashembullt, duke qenë i bindur me zemër dhe me shpirt në përkrahjen dhe ndihmën e Perëdisë për triumfin e plotë të Islamit. I Lartësuar dhe i Madhëruar qofsh o Allah, Mbizotërues i çdo gjëje dhe i Vetmi Ngadhnjimtar![1]

Referencat

redakto
  1. Shkruar nga: Sabri Bajgora