[go: up one dir, main page]
More Web Proxy on the site http://driver.im/Jump to content

Holokausti

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Në oborrin e krematoriumit, qytetarët e Weimar u përballën me ushtarët e ShBA me kufomat e gjetura në kampin e përqëndrimit Buchenwald. Ishte fotografia e parë e kampit Buchenwald e publikuar, dhe e shfaqur në Londër më 18 prill 1945.

Holokausti, i njohur ndryshe si shoah, ishte gjenocidi i hebrenjve evropianë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Midis viteve 1941 dhe 1945, Gjermania Naziste dhe bashkëpunëtorët e saj vranë sistematikisht rreth gjashtë milion hebrenj në të gjithë Evropën e pushtuar nga Gjermania, rreth dy të tretat e popullsisë hebraike të Evropës.

Hitleri në librin e tij Lufta ime shënon se Raca gjermane është racë e pasardhëse e racës ariane (popull që ka jetuar shumë vitë më parë-qytetërim i zhdukur tanimë) dhe racë e pastër, dhe si e tillë duhet ta sundojë botën... disa popuj duhet të zhduken nga faqja e dheut, hebrejtë, romët dhe sllavët.

Hitleri gjatë Luftës së Dytë Botërore kishte krijuar shumë burgje dhe kampe përqendrimi. Kampet kishin filluar të hapen që nga viti 1940. Ndër kampet më të njohura ishin; Kampi i Aushvicit, Dahaut, Mauthausenit dhe Belsenit. Në këto vende ishin vendosur njerëz nga të gjitha vendet e pushtuara nga blloku nazi-fashist.

Në këto kampe, u mbytën, u torturuan, dhe u bënë eksperimente të gjalla në fushën medicinale. Shumë njerëz për të mos parë skenat e tilla dhe për të mos përjetuar torturat e tilla bënë vetëvrasje.

Fjala “holokaust” është me origjinë greke nga fjala holokauston , që do të thotë flijim me zjarr,[1] dhe ka gjetur përdorim të madh që nga shekulli i II para epokës sonë, kur për herë të parë u përkthye në këtë gjuhë nga libri i shenjtë i Judaizmit (Torah). Në kuptimin biblik, “holokausti” paraqet një flijim të veçantë të kafshëve për hir të Zotit, ku kafshët e flijuara nuk hahen, por digjen tërësisht si kushtim për perëndinë. Ky term filloi gradualisht të zërë vend edhe në rastet kur ushtrohej dhuna kundër hebrenjve. Përdorimi i termit teologjik “holokaust” për të emëruar krimet e ideologjisë naziste që kishte për qëllim asgjësimin e hebrenjve konsiderohet tejet fyes për çdo hebre,për arsye se krimit i jepet dimension hyjnor.

Nocioni i dytë me të cilin është munduar të zëvendësohet termi “holokaust” është fjala hebraishte “shoah”, që në disa gjuhë përkthehet me fjalën “katastrofë”.[2]

Persekutimi me ardhjen e nazistëve në pushtet

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
Ylli i verdhë i Davidit me mbishkrimin 'Jude' (Hebre), të cilin komuniteti hebre u detyrua të qepte në rroba.

Më 1 prill 1933, nazistët nxitën aksionin e tyre të parë kundër hebrenjve gjermanë duke shpallur një bojkot të të gjitha bizneseve të drejtuara nga hebrenjtë. Dy vite më vonë, ndërkohë që pushteti i tyre vijonte të konsolidohej, Partia Naziste miratoi të ashtuquajturat Ligje të Nurembergut , të miratuara më 15 shtator 1935, të cilat ishin krijuar për të përjashtuar hebrenjtë nga jeta publike. Këto ligje u hoqën hebrenjve shtetësinë gjermane, ndaluan martesat midis gjermanëve dhe hebrenjve dhe vendosën precedentin ligjor për legjislacionin anti-hebre që pasoi.[1]

Brenda natës më 9 dhe 10 nëntor 1938, nazistët nxitën një pogrom kundër hebrenjve në Austri dhe Gjermani të quajtur Kristallnacht (Nata e kristaltë), ku përkrahës të Partisë Naziste plaçkitën dhe dogjën sinagoga, biznese hebrenjsh, thyerjen e xhamave të bizneseve dhe dhunë e sulme fizike ndaj hebrenjve. Rreth 30,000 hebrenj u arrestuan dhe u dërguan në kampet e përqendrimit brenda një nate.[1]

Pas fillimit të Luftës së Dytë Botërore në vitin 1939, nazistët urdhëruan hebrenjtë të mbanin një Yll të verdhë të Davidit në veshjet e tyre, në mënyrë që ata të mund të njiheshin dhe të shënjestroheshin lehtësisht.

Konferenca e Wannsee dhe Zgjidhja Përfundimtare

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Konferenca Wannsee u mbajt në Janar 1942, në liqenin Wannsee në afërsi të Berlinit dhe ishte një takim i zyrtarëve nazistë që zyrtarizoi axhendën për vrasjen masive të miliona hebrenjve evropianë. Konferenca siguroi bashkëpunimin e degëve të ndryshme të qeverisë gjermane në qëllimin nazist të "Zgjidhjes Përfundimtare", eliminimin e të gjithë hebrenjve në territoret e pushtuara nga forcat gjermane.[2]

Inspektimi nga ana e partisë naziste dhe Himleri në kampin e Dachaut më 8 maj 1936.

Mbytja e njerëzve në dhomat me gaz

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Nazistët kishin tubuar shumë njerëz në kampet e tyre. Vrasjet me bomba, armë zjarri, pushkatimet, mbytjet me tortura... ishin bërë të zakonshme.

Tani terrori ndaj njerëzve në kampet e përqendrimit kishte ndërruar formën. Nazistët donin t'i mbysnin njerëzit pa lënë gjurmë. Prandaj, filluan asgjësimin e tyre nëpërmjet helmimit masiv në dhomat me gaz në shumicën e kampeve të përqendrimit.

Mbytja me gaz brenda një dite arrinte deri në 20.000 njerëz. Trupat e pajetë të njerëzve hidheshin në furra me temperatura të larta, për të zhdukur çdo gjurmë. Shumica e këtyre njerëzve ishin hebrej.

Statistikat e holokaustit

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Holokausti është një nga aktet më famëkeqe të gjenocidit në historinë moderne. Mizoritë e shumta të kryera nga Gjermania naziste para dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore shkatërruan miliona jetë dhe ndryshuan përgjithmonë fytyrën dhe historinë e Evropës.

Sipas Muzeut Përkujtimor të Holokaustit në SHBA, pak më shumë se 17 milionë njerëz u vranë gjatë Holokaustit, por asnjë dokument i vetëm nuk ekziston që të regjistrojë numrin e përgjithshëm. Gjashtë milionë prej tyre ishin hebrenj – gati dy të tretat e të gjithë hebrenjve evropian. Rreth 1.5 milionë fëmijë hebrenj dhe mijëra fëmijë romë, gjermanë dhe polakë vdiqën në Holokaust.[1]

Numri i vdekjeve sipas popullsisë[1]
Popullsia nr. i vdekjeve me përafërsi
Hebrenj Evropianë 6 milionë
Sovjetikë 5.7 milionë
Polakë 1.9 milionë
Serbë 312.000
Romë 250.000
Persona me aftësi të kufizuar 250.000
Dëshmitarë të Jehovait 1.900
Të dënuar/asocialë 70.000
Homoseksualë 70.000
Kampi i Dachaut u krijua për të mbajtur kundërshtarët politikë. Në kohën e Krishtlindjeve 1933 rreth 600 të burgosur u liruan si pjesë e një veprimi falës. Tabloja e mësipërme përshkruan një fjalim nga komandanti i kampit Theodor Eicke drejtuar të burgosurve që po liroheshin.

kampin e Aushvicit vetëm u vranë mbi 900.000 hebrej. Përveç hebrejve, në kampet e përqendrimit u vranë dhe u zhdukën edhe pjesëtarë të popujve të tjerë.

Holokausti dhe shqiptarët

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Para nisjes së luftës, qëndrimi i Mbretit Zog ndaj hebrenjve ka qenë dashamirës, madje ai bëri thirrje edhe për pranimit në Shqipëri të hebrenjve të cilët do t’i pajiste edhe me toka, me qëllim që të fitonte përkrahjen e komunitetit të fuqishëm ndërkombëtar hebre. [3] Deri në fund të luftës, Shqipëria ishte shtëpia e rreth 3.000 hebrenjve për shkak të guximit të shqiptarëve që treguan solidaritet duke rrezikuar jetën e tyre për të siguruar një strehë për hebrenjtë që arratiseshin nga vendet fqinje.[4]


Në Shqipëri, gjermanët nuk i kushtuan ndonjë rëndësi të madhe regjistrimit, grumbullimit dhe deportimit të hebrenjve për në kampe të shfarosjes, kryesisht për shkak të numrit të vogël të popullsisë hebreje në Shqipëri. Sipas statistikave gjermane të vitit 1941, në Shqipëri banonin rreth 200 hebrenj. Udhëheqja shtetërore vendase, e cila përkrahu pushtuesit, ishte më e pavarur prej tyre komandës gjermane. Në Shqipëri nuk dolën kurrë ligje antihebreje as nga drejtuesit e saj dhe as nga gjermanët, siç dolën në vende të tjera dhe as nuk iu kërkua hebrenjve të qepnin në rroba Yllin e Davidit.[3]


Ndërkohë që shumica e vendeve të pushtuara, nisën të dorëzojnë popullsitë hebreje te autoritetet gjermane, në Shqipëri ndodhi e kundërta.. Shqiptarët i mbrojtënhebrejtë dhe i mbajtën edhe në familjet e tyre. Në Shqipëri nuk pati ndjenja naziste apo struktura të mirëfillta të partisë Naziste. Kishte individë progjermanë, por jo nazistë. [3]

Lamtumirë Shqipëri! Më keni dhënë kaq shumë mikpritje, mbrojtje, miq dhe aventura. Lamtumirë Shqipëri! Një ditë do t’i them botës se sa të guximshëm, se sa të patrembur, se sa të fortë dhe se sa të besës janë djemtë e tu, sesi as vdekja dhe as djalli nuk mund t’i trembin. Në qoftë e nevojshme, do të them se si mbrojtën ata një refugjate dhe nuk lejuan që ajo të dëmtohej edhe në qoftë se ajo mbrojtje do të kërkonte jetën e tyre. Portat e vendit tuaj të vogël mbetën të hapura, Shqipëri. - Irene Grunbaum, e mbijetuar. Marrë në librin e saj autobiografik “Shpëtimi përmes Ballkanit”[3]

  1. ^ a b c d e "Fakte thelbësore rreth Holokaustit". Fakte thelbësore rreth Holokaustit. 2020-02-26. Arkivuar nga origjinali më 17 gusht 2022. Marrë më 2022-08-17.
  2. ^ a b "Konferenca e Wannsee dhe zgjidhja përfundimtare". Konferenca e Wannsee dhe zgjidhja përfundimtare. 2019-11-19. Arkivuar nga origjinali më 16 gusht 2022. Marrë më 2022-08-16.
  3. ^ a b c d "Hebrenjtë në Shqipëri gjatë Holokaustit | ResPublica". www.respublica.al (në anglisht). Arkivuar nga origjinali më 17 gusht 2022. Marrë më 2022-08-17.
  4. ^ "Dita Ndërkombëtare e Përkujtimit të Holokaustit, historia e hebrenjve në Shqipëri". Euronews Albania (në anglishte amerikane). 2022-01-27. Marrë më 2022-09-02.