[go: up one dir, main page]
More Web Proxy on the site http://driver.im/Jump to content

Hilafeti

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Versioni i datës 13 gusht 2020 11:31 nga Nuggln (diskuto | kontribute)
(ndrysh) ← Version më i vjetër | shikoni versionin e tanishëm (ndrysh) | Version më i ri → (ndrysh)

Fjala hilafet (ose kalifat) rrjedh nga ajo arabe khilāfa. Kalifi quhet në arabisht خليفة رسول الله Ḫalīfa, shumës Ḫulafāʾ (pasardhës në post, mëkëmbës) ose khalīfat allāh ose khalīfat rasūl allāh që do të thotë e përkthyer fjalë për fjalë „mëkëmbës i Zotit“ ose „pasardhës i të dërguarit të Zotit“.

Hilafeti paraqet formën e rregjimit islamik, në të cilën udhëheqja shekullare (laike) dhe fetare është vetëm në dorën e kalifit. Sistemi shtetëror i MuhameditMedinë ka qenë i bazuar në modelin teokratik: ai ka qenë si prijësi i lëvizjes fetare ashtu edhe sundimtari mbi zonën e influencës, në të cilën ky besim praktikohej. Hilafeti ka qenë kështu jo vetëm posti zyrtar por ai ka qenë po ashtu edhe zona ku ushtronte pushtetin kalifi, zotërimet e tija.

Hilafeti deri në vitin 750:
  Nën profetin Muhamed, 612-632
  Nën tre kalifët e parë, 632-655
  Nën kalifët omajjadë, 661-750

Koncepti i hilafetit është sipas pikëpamjes së shumë myslimanëve në kundërshtim me doktrinën e Muhamedit. Sipas sures 112 (al-ihlās), asnjë njeri nuk mund të krahasohet me allahun, as vetë kreu i të gjithë myslimanëve. Katër kalifët e parë, Abu Bakr-i, Umar ibn al-Khattab-i, Uthman ibn Affan-i dhe ʿAlī ibn Abī Tālib-i nuk pretendonin se e kishin në zotërim këtë titull. Si mëkëmbësi i zotit mbi tokë (arabisht خليفة الله Ḫalīfat allāh))[1] haset ky titull për herë të parë tek omajjadët që filluan të sundojnë prej vitit 661, të cilët e përdornin këtë titull për vete. Trashëgimia islamike e mëvonshme ka përcaktuar se ky titull fillimisht quhej „pasardhës (ose mëkëmbës) i profetit të allahut“. Kështu edhe e pati marrë Abu Bakr-i titullin khalifat rasul allah, „pasardhës i profetit të allahut“.

Hilafeti i shekujve 7-të – 10-të

Muhamedi nuk la pasardhës të drejtpërdrejtë meshkuj. Një ose disa bij të tij kishin vdekur në moshë të mitur ndërsa një bir i adoptuar kishte rënë në një betejë. Vetëm e bija e tij Fatima dhe ndoshta edhe disa të bija të tjera (trashëgimia historike është për këtë e paqartë) mbetën pas vdekjes së të atit të tyre por këto nuk kishin vetë bij në moshë të duhur që të luanin rol prijësi. Profeti nuk kishte caktuar as mëkëmbës dhe as ndonjë procedurë për zgjedhjen e një të tilli. Pas vdekjes së tij më 632 u mblodhën krerët myslimanë të bashkësive islamike. Një pjesë e tyre ishte i mendimit se Muhamedi e kishte caktuar kushëririn e tij Ali ibn Abi Talib-in si mëkëmbësin e vet. Shumica e myslimanëve nuk e besonte këtë dhe përcaktoi rregullat kryesore fillestare për një pasardhje të tillë në post. Sipas tyre një pasardhës i tillë duhet të ishte arab nga fisi i Muhamedit, kuraish-itët, i cili të ishte nga njëra anë përgjegjës për respektimin e rregullave të besimit islam dhe nga ana tjetër për përhapjen e fesë islame. Shumica e krerëve islamike zgjodhën si pasardhës të profetit Abu Bakr-in, të atin e gruas më të afërt të Muhamedit, Aisha-s. Ky morri titullin khalifat rasul allah.

Më 634 u zgjodh si kalifi i dytë Umar ibn al-Khattab-i. Gjatë periudhës së sundimit të tij nisi ekspansioni islam ku myslimanët arritën të shtrinin zonën e influencës së tyre mbi Sirinë (më 635–636), Irakun (ose Mesopotaminë) (më 636) dhe Egjiptin (639–642). Pas fitores së tyre në Nehavend, në jug të Hamadan-it, Perandoria SasanideIran ra përfundimisht.

Uthman ibn Affan-i, një dhëndër i Muhamedit, u zgjodh më 644 si kalifi i tretë. Rëndësi morri periudha e sundimit të tij sidomos nëpërmjet përpilimit përfundimtar të kuranit. Por ai vazhdoi edhe me ekspansionin e paraardhësve të tij në post. Kështu më 647 u pushtuan Tripolitania (Libia e sotme) dhe pjesë të tjera të Iranit si dhe u ndërmorrën ekspedita të para për në Azinë e Vogël. Me kalimin e kohës Uthman-i i krijoi vetes armiq të shumtë sidomos ndër prijësit ushtarakë dhe myslimanët e zonave të pushtuara si pasojë e favorizimit të fisit të tij omajjad gjatë ndarjes së posteve dhe plaçkës së luftës. Më 656 ai u vra në Medinë nga myslimanët kryengritës të Egjiptit dhe Irakut.

Kundërshtarët e Uthman-it ishin në radhë të parë përkrahësit e Ali ibn Abi Talib-it, shiitët. Këta bashkë me prijësit e kryengritësve zgjodhën këtë të fundit si kalif. Mirëpo guvernatori i Sirisë Muavija nga fisi i omajjadëve dhe si i tillë i afërmi i Uthman-it, nuk pranoi të bindet gjë që çoi në luftime. Pas betejës së Siffin-it u bë marrëveshje për të bërë bisedime. Një grup myslimanësh, kharixhitët e mëvonshëm, i pa ato si pazarllëk për poste dhe turp të madh duke braktisur kështu kampin e Ali-ut. Më 661 Ali-u u bë viktimë e një atentati të këtij grupi. I biri i tij Hasan-i hoqi dorë nga pretendimi i fronit kur pa epërsinë e omajjadëve.

Muavija themeloi tashmë prej kësaj kohe dinastinë e kalifëve omajjadë. Vëllai i Hasan-it, Husain-i ngriti pretendim për postin e hilafetit pas vdekjes së Muavija-s I. Por ai u mund në betejën e Kerbela-së (më 680).

Ali-u ishte kalifi i fundit i zgjedhur. Muavija gjatë sundimit të tij vendosi me ligj trashëgiminë e fronit. Prej atëherë kalifë të rinj bëheshin pasardhësit e proklamuar (të shpallur publikisht) ose ky titull i kalohej me anë të luftërave sundimtarëve të tjerë.

Hilafeti i omajadëve

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Pas ardhjes në pushtet të omajjadëve nën sundimin Muavija-s, atyre u duhej më pas të përballonin vazhdimisht lëvizje opozitare të ndryshme. Konflikte shkaktonte legjitimacioni i omajjadëve, të cilët akuzoheshin se në fillimet e fesë islame, ata bënin pjesë në kundërshtarët më fortë të profetit Muhamed. Pas rivendosjes së paqes brenda hilafetit myslimanët mundën të ndërmerrnin përsëri ekspansionin e tyre. Kështu, nën sundimin e Abd al-Malik-ut dhe al-Valid-it u pushtuan në fillim të shekullit të 8-të Magrebi (Afrika Veriore), Andaluzia, Transoksania (sot Uzbekistan) dhe lugina e Indusit. Hilafeti arriti në këtë mënyrë shtrirjen e tij më të madhe. Megjithë këto fitore, opozita e shumë myslimanëve vazhdonte akoma. Dobësimi i sundimit të omajjadëve si pasojë e luftërave të brendshme për pushtet prej vitit 744 u përshpejtua nëpërmjet kryengritjes së Abu Muslim-it. Në vitin 749 erdhi në fuqi dinastia e abbasidëve.

Hilafeti i abasidëve

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Pas rrëzimit të omajjadëve nëpërmjet abbasidëve Iraku me kryeqytetein e ri Bagdadin u zhvillua si qendra politike e Hilafetit. Bagdadi u bë njëkohësisht gjithashtu, sidomos nën sundimin e Harun ar-Rashid-it (786–809), siç e kanë përshkruar edhe përrallat e ShehrezadesNjëmijë e një netë, një qytet shumë luksoz dhe i pasur si dhe një qendër e kulturës dhe e shkencave të natyrës. Në shekullin e 9-të hilafeti arriti kulmin e lulëzimit të tij. Por ekspansioni dhe burokracia kërkonin çmimin e tyre: kalifët u lëshuan gjithnjë e më tepër pushtetin politik ministrave, vezirëve dhe funksionarëve zyrtarë.

Kjo gjë çoi prej fillimit të shekullit të 9-të në lindjen e emirateve të pavaruara (ndër të tjera të aghlabidëve, tulunidëve, tahiridëve dhe samanidëve), të cilat ishin vetëm formalisht në vartësi të sundimit të kalifit në Bagdad. Në fillim të shekullit të 10-të lindën në Magreb dhe Andaluzi hilafetet e pavarura të fatimidëve omajjadëve. Nga mesi i shekullit të 10-të kalifët në Bagdad u shfuqizuan politikisht përfundimisht dhe iu nënshtruan prej asaj kohe kontrollit të bujidëve persianë dhe prej vitit 1055 selxhukëve turq. Kalifët mbetën kështu vetëm si krerë fetarë të myslimanëve. Në fakt kalifët arritën gjatë shekullit të 12-të të shtinin në dorë përsëri pushtetin e tyre politik të paktën në Irak, megjithatë hilafeti i abbasidëve u shkatërrua më 1258 kur Bagdadi u pushtua nga mongolët me në krye Hylegu Khan-in.

Disa abbasidë arritën të arratisen në Egjipt. Më 1261 një princ i abbasidëve u vendos si kalif në Kajro nga sulltani mamluk Bajbars-i. Por pushteti i tij ishte vetëm me karakter spiritual (shpirtëror) dhe pjesërisht vetëm në teori. Këta kalifë mbajtën së shpejti vetëm titullin e zbrazët formal. Pas pushtimit turk të Egjiptit më 1517, abbasidi i fundit u detyrua t'i dorëzonte këtë titull sulltanit turk.

Hilafeti i fatimidëve

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Ismailitët, fatimidët shiitë, sipas legjendës pasardhës të Ali ibn Abi Talib-it dhe gruas së tij Fatima-s, e cila i kishte dhënë emrin kësaj dinastie, themeluan hilafetin e tyre më 909 në Ifriqija/Tunizi, zona e sundimit të të cilëve shtrihej nga Algjeria deri në Egjipt, Siri dhe Siçili. Pasi ata arritën më 1059 të shtinin nën kontroll përkohësisht Bagdadin, filloi rënia e tyre si dinasti dhe si përfundim ata u eliminuan më 1171 nga Saladini. Kjo linjë kalifësh ka vazhduar me nizaritët deri tek Aga Khan-i sot.

Hilafeti i omajjadëve në Spanjë

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Omajjadi i fundit, i cili kishte mbetur gjallë pas vrasjes në masë të fisit të tij më 750 nëpërmjet abbasidëve, u arratis për në Andaluzi. Atje themeluan më vonë pasardhësit e tij më 929 Hilafetin umajjad të Kordovës. Më 1031 ai u shua duke u copëtuar në disa mbretëri të vogla.

Në shekullin e 12-të dhe të 13-të ngritën pretendime në Maghreb për këtë hilafet almohadët dhe hafsidët.

Kalifët e fatimidëve dhe omajjadëve në Andaluzi nuk arritën dot njohjen në përgjithësi nga ana e sunnitëve ashtu si dhe kalifët almohadë dhe hafsidë.

Hilafeti i osmanëve

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]


Duke filluar prej shekullit të 13-të sundimtarë të ndryshëm myslimanë ngrinin vazhdimisht pretendim për titullin e kalifit por që i cili ishte bërë tashmë politikisht pa rëndësi. Megjithatë në vitin 1517 sulltanët osmanë arritën të themelojnë hilafetin osman. Vetëm prej shekullit të 19-të, kur gjithnjë e më shumë të krishterë ishin vendosur në zonat e sundimit mysliman, sulltanët ngulnin këmbë me pretendimin për titullin si krerë fetarë, në mënyrë që të siguronin përkrahjen edhe të myslimanëve jashtë zonës së sundimit të tyre. Pas disfatës së Perandorisë Osmane në Luftën e Parë Botërore, sulltani i fundit Mehmedi VI. u hoq nga posti pas themelimit të Republikës Turke më 1923. Më 1924 qeveria turke e abrigoi hilafetin nëpërmjet ligjit 431.[2] Sulltanit, të cilit i kishte mbetur vetëm titulli „kalif“, u nxor jashtë vendit.

Hilafeti pas vitit 1924

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Kjo ngjarje shkaktoi shumë shqetësime në botën myslimane. Më 1924 ngriti pretendimin për këtë titull mbreti Hussein ibn Ali-u i Hexhas-it, sot pjesë e Arabisë Saudite, meqenëse ai thuhej se rridhte nga fisi i profetit Muhamed nga ana e stërgjyshit të tij Hashim dhe kishte gjithashtu nën sundim edhe Mekkën dhe Medinën. Pretendimi i tij u shua pas pushtimit të mbretërisë së tij nëpërmjet mbretit Abd al-Aziz al SaudNaxhd-it.

Më 1926 u bënë përpjekje në një kongres islamik në Kajro për të zgjedhur një kalif të ri. Por edhe kjo përpjekje për ta ringjallur përsëri hilafetin dështoi. Sipas mendimit të ekspertëve, që prej atëherë nuk ka pasur më përpjekje serioze për këtë (duke mos llogaritur këtu atë të Metin Kaplan-it dhe „Kalifatit të Këlnit“ të tij. Lëvizja fetare-politike Hizb ut-Tahrir përpiqet gjithashtu të krijojë përsëri hilafetin. Por ajo është e ndaluar në të gjithë vendet islamike dhe më gjerë.

Hilafeti i Ahmadijja-s

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]


Mirza Ghulam Ahmad-i themeloi më 1889 in Kadian lëvizjen Ahmadijja. Pas vdekjes së tij më 1908 pasuan „Khalifat ul-Massih“ („kalifi i mesias“) e quajtur krerët spiritualë të Ahmadijja Muslim Xhamaat (Ahmadijja Muslim Jamaat). Kalifët e AMJ-së zgjidhen nga një komitet zgjedhës për gjithë jetën me selinë prej vitit 1984 në Xhaminë FazlLondër. Prej 22 prillit 2003 është Mirza Masrur Ahmad-i si Khalifat ul-Massih V. kreu fetar i AMJ-së.

Hilafeti i Omdurmanit

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Pasardhësit e prijësit islamiko-politik Muhammad Ahmad al-MahdiSudan e cilësonin veten po ashtu kalifë. Sidomos Abdallahi ibn Muhammad-i, i cili ishte vendosur më 1891 në krye të kryengritjes së Mahdi-t, është në Sudan edhe sot i njohur nën emrin al-Khalifa. Pallati i dikurshëm i Abdallahi-t është sot një nga objektet kryesore turistike të Omdurmanit. Kryengritja e Mahdi-t vlerësohet si kryengritja e parë e suksesshme e një popullsie afrikane kundra kolonializmit. Hilafeti i Omdurmanit ekzistoi 15 vjet dhe u rrëzua më 1898 nga forcat e armatosura anglo-egjiptiane.

Teoria e hilafetit

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Sipas doktrinës ortodokse islamike sundimi i ligjshëm është i mundshëm vetëm në hilafet. Kalifit i besohet si pasardhësi i Muhamedit, udhëheqja politike dhe fetare e umma-s, bashkësisë myslimane. Hilafetin si institucion teologët dhe juristët islamike e bazojnë tek kurani. Në suren 38 thuhet:

O Daʿud (mbreti David), shih, ne të bëmë mëkëmbës (chalifa) mbi tokë; gjyko mes njerëzve me të vërtetë.

Mbi kalifin qëndron vetëm ligji fetar, shari’a, i cili bazohet tek burimet juridike kurani, sunneti, ixhma (konsensi) dhe kijasi (analogjizmi) dhe të cilin ka për detyrë ta respektojë edhe kalifi.

Sipas pikëpamjeve imamito-shiite dymbëdhjetë imamët e tyre kanë qenë kalifët legjitimë. Sipas mendimit të tyre, kalifi i dymbëdhjetë nuk ka vdekur por është fshehur, nga ku ai dikur do të shfaqet si mahdi (shpëtimtar). Gjatë kohës kalimtare deri atëherë, kleri shiit ushtron pushtetin e tij si zëvendës i këtij imami të fshehtë. Në kushtetutën e Iranit kjo është e shkruar në këtë formë. Prandaj edhe për këtë arsye, parlamentit dhe presidentit iranian u lejohet që të ushtrojnë pushtet në mënyrë të kufizuar.

Nizariët, të cilët bëjnë pjesë tek ismailitët, kanë deri sot një imam si kalif, Karim Aga Khan-in IV., i cili është kalifi i 49-të si pasardhës direkt i profetit Muhamed nga linja e të bijës së tij Fatima dhe dhëndrit të tij Ali-t. Bohra-t, po ashtu ismailitë, besojnë si imamitët tek ekzistenca e një imami kalif të fshehtë.

Hilafeti është i ankoruar në të drejtën islamike si një e ashtuquajtur fard kifaja, dmth. si detyrim i përgjithshëm fetar. Ndryshe nga fard ʿayn, detyrimi fetar individual, si psh. agjërimi ose pelegrinazhi, kryerjen e të cilit e ka për detyrë çdo individ, fard kifaja duhet kryer vetëm nga disa njerëz nga shoqëria të aftë për të. Detyrimi për xhihadin ose përpjekja për dije janë shembuj tipikë për këtë. Kjo do të thotë në rastin e hilafetit se përmbushja e fard kifaja-s është detyra e personit të aftë për postin e kalifit. Në rast se do të kishte vetëm një kandidat që i përmbush kriteret, ky nuk lejohet psh. të mos e pranojë këtë post.

Për universalitetin e hilafetit, dmth. për pretendimin për pushtet fetar dhe shekullar (laik), teologët klasikë bazohen tek detyrimi i xhihad-it. Detyrimi fetar për xhihad-in bën të nevojshme që kalifi të veprojë jo vetëm si prijës fetar por edhe të jetë në gjendje të bëjë luftë, pra të ketë nën kontroll ushtrinë. Dallimi gjuhësor ndërmjet fjalëve „kalif“ dhe „imam“ nxjerr në pah këto dy aspekte. Me imamat nënkuptohet udhëheqja fetare ndërsa hilafeti ka të bëjë me sferën politike dhe ushtarake. Me rënien e hilafetit termi imam u bë i pavarur duke u përdorur më vonë jo vetëm për kreun e bashkësisë myslimane por edhe si titull nderi për personalitete fetarë të respektuar veçanërisht.

Ky konceptim sunnit ortodoks i hilafetit i formuluar shumë më vonë zgjati deri në rënien e hilafetit abbasid. Ligji, sipas të cilit kalifi duhet të ishte pasardhës i fisit të Muhamedit, qëndroi në fuqi deri në fillimin e hilafetit të osmanëve. Osmanët e mbajtën në këmbë pretendimin e tyre për postin e kalifit duke marrë për ndihmë përdorimin e simbolikës fetare.

Edhe pse hilafeti në realitet humbi rëndësinë që kishte, ideja e hilafetit mbeti teorikisht përcaktuese dhe shumë e diskutuar gjatë gjithë kohëve megjithëse realitetin dhe teorinë i ndante një hendek i thellë. Juristët myslimanë qëndronin përpara problemit faktikisht të pazgjithshëm të kapërcimit të kësaj diskrepance (mospajtimi).

Zbutja e idesë së hilafetit u zhvillua në disa hapa. Si një nga të parët është përpjekur për të gjetur zgjidhje juristi asharit al-Mavardi (972–1058). Teoria e Mavardi-t ka vlejtur për një kohë të gjatë si formulimi klasik i doktrinës sunnite ortodokse të hilafetit, çka është hedhur sakaq poshtë nga Hamilton Gibb. Në atë kohë, kur kalifi ishte veçse një kukull në duart e dinastisë e bujidëve në Bagdad, ai paraqiti në shkrimin e tij Ahkam as-sultanija teorinë e imarat al-istila-s, të emiratit të arritur me anën e uzurpimit (rrëmbimit e pushtetit me forcë).

Sipas kësaj teorie kalifi është i detyruar t'ia dorëzojë pushtetin e tij ekzekutiv atij që ka në dorë aktualisht pushtetin politik, përderisa ky të qeverisë në bazë të ligjeve të shari’a-s. Fiksioni (përfytyrimi) i sovranitetit të kalifit përmbushet kështu duke e njohur formalisht autoritetin e tij suprem dhe duke përmendur emrin e tij në faljen e të premtes. Mavardi përpiqet aty që me idenë e dorëzimit të pushtetit të pajtojë teorinë e hilafetit me realitetin historik.

Al-Mavardi e lidhte si kusht dorëzimin e pushtetit me sundimin e bazuar tek shari’a. Meqënëse teoricientët e mëvonshëm islamikë kanë qenë të bindur se çfarëdo formë sundimi është më e mirë se anarkia, ata e përligjnin edhe sundimin vetëm me dhunë, mjaftonte që autoriteti nominal (sa për emër) suprem i kalifit të mbahej në këmbë.

Al-Ghazali (1058–1111) u tërhoq në kohën e sundimit të selxhukëve nga shumë prej kushteve, të cilat Mavardi i kishte parë si të domosdoshme. Sipas tij kalifit nuk i duhej të zotëronte aftësinë për t'i prirë xhihadit dhe as kompetenca për qeverisje (kifaja) nuk ishte e nevojshme përderisa ai të kishte në krah një vezir kompetent. Në vend të aftësisë për ixhtihad, dmth. për interpretimin e pavarur të ligjeve, kalifi duhet të ketë vetëm vara, devotshmëri ndaj zotit. Metodës tradicionale të zgjedhjes së kalifit Ghazali i shtoi edhe një tjetër, atë të emërtimit të kalifit nëpërmjet sulltanit aktual sundues. Me këtë ai legjitimonte praktikën që ishte bërë e zakonshme në kohën e tij.

Teologu Ibn Xhama'a si përfundim u tërhoq nga çfarëdo pretendimi fetar duke e reduktuar hilafetin vetëm në sundimin me dhunë; me të morri fund teoria klasike e hilafetit.

  • Patricia Crone, Martin Hinds: God's Caliph. Religious Authority in the First Centuries of Islam. 2003, ISBN 0-521-54111-5.
  • Ulrich Haarmann: Geschichte der arabischen Welt. C. H. Beck, München, 2001.
  • Ludwig Hagemann, Oliver Lellek: Lexikon der islamischen Kultur. Wissenschaftliche Buchgesellschaft, Darmstadt, 1999.
  • Elie Kedourie: Egypt and the Caliphate. Kedourie. The Chatham House Version and other Middle Eastern Studies. Praeger, New York, 1970, 2006.
  • Hugh Kennedy: The Prophet and the Age of the Caliphates. London 2004.
  • Stephan Ronart, Nandy Ronart: Lexikon der Arabischen Welt. Artemis Verlag. 1972.
  1. ^ Patricia Crone: God’s Caliph.
  2. ^ Ligji 431 i datës 3 mars 1924, Resmî Gazete Nr. 63 i datës 6 mars 1924.